Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal i vënë nën akuzë për korrupsion është dekoruar në Shqipëri 2 vjet më parë nga kryebashkiaku i Tropojës, Rexh Byberi.
Në një postim në Facebook, kryebashkiaku shkruan në atë kohë se e ka dekoruar ish-zyrtarin amerikan me titullin “Mirënjohja e Tropojës”.
Në foto duket se i pranishëm në ceremoni ka qenë edhe Damian Gjiknuri, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, si dhe Agron Nezaj që në dosjen e FBI përmendet si ‘Personi A’. Ky i fundit është pikërisht njeriu që i ka dhënë McGonigal 225 mijë dollarët e ndarë në tre pjesë.
“Sot në Tiranë isha i privilegjuar veçanërisht ti dorëzoj medaljen e akorduar ‘Mirënjohja e Tropojës’ z. Charles McGonigal, një ish-personalitet i rëndësishëm me gradën SAC i Agjencisë më të fuqishme investigative në glob, FBI. Z.McGonigal ka dëshmuar dashuri të përhershme për Vendlindjen dhe Kombin tonë. Në këtë ceremoni shumë miqësore dhe të përzemërt morën pjesë përveç stafit tim dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, zotërinjtë Damian Gjiknuri dhe Ardian Çela. Zoti McGonigal shoqërohej si gjithmonë nga miku i tij, bashkëqytetari ynë i nderuar shqiptaro-amerikan Agron Nezaj’, shkruan Byberi në 23 shtator 2021.