Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri në një deklaratë për shtyp u shpreh se SPAK duhet të zhvillojë hetime konkrete për 21 Janarin. Sipas Gjiknurit, provat e reja janë të mjaftueshme dhe organet e drejtësisë nuk duhet të flenë më.
“Prova e re e bërë publike në media nga gazetari Artan Hoxha përmban të dhëna mbi fakte të reja që nuk i janë nënshtruar ndonjëherë hetimeve dhe gjykimeve të mëparshme. Në dinamikën e komunikimeve rezulton qartë se janë dhënë urdhra për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve të pafajshëm.
Urdhra, të cilat nisin nga persona të tjerë, funksionarë të lartë shtetërorë. Faktohet tashmë me audio se vrasjet janë kryer me dashje të drejtpërdrejtë dhe jo nga pakujdesia siç konstatoi gjykata në vitin 2013. Përfshirja e ministrit Lulzim Basha në komunikimin me radio rezulton e provuar katërcipërisht dhe ky fakt krijon dyshime të arsyeshme bazuar se ndërhyrja e tij në lidhje të drejtpërdrejtë me efektivët e Gardës është bërë me porosi për të dhënë urdhrin e Sali Berishës, i kallëzuari tjetër si personi më i pushtetshëm i asaj kohe.
Nga deklarimet e bëra publike para dhe pas ngjarjes të të kallëzuarit Sali Berisha, ish-kryeministër, krijohet bindja përtej çdo dyshimi se ai vetë ka qenë në drejtimin e veprimeve të Gardës nëpërmjet komunikimit direkt me të kallëzuarin Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi.
Provat e reja janë vendimtare tashmë dhe të mjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Gjykatës së Apelit për Ndrea Prendin pasi nuk kemi të bëjmë me një vrasje nga pakujdesia, por me një vrasje në rrethana të tjera cilësuese. Por sipas këtyre provave janë krijuar kushte të mjaftueshme për të regjistruar nga SPAK të një procedimi penal ndaj Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për veprimet e kryera më 21 Janar 2011″ tha ai.