Kryeminstri Edi Rama këtë të enjte ka zhvilluar një takim me sipërmarrësit i cili ka folur për rritjen e pagave.
Në fjalën e tij ai theksoi se jo çdo gjë në sektorin e ri të ndërtimit është e pastër.
Gjatë takimit Rama shkëmbeu batuta edhe me ndërtuesin Ram Geci, duke i thënë se jeni demokrat dhe shpirti ju del për Partinë Demokratike, por punoni me Partinë Socialiste.
Fjala e plotë e Ramës
Ndaj ata që flasin sot për një Shqipëri të kapur për fyti nga korrupsioni janë të kapur në fytin e tyre nga mllefi ndaj suksesit. E kanë të pamundur ta gjejnë fuqinë për të pranuar dhe për t’ia falur tjetrit suksesin. Ata që flasin për korrupsionin që na qenka rritur duhet në fakt të dëgjojnë nga ju se nuk mundet dot të rritet korrupsioni kur ti paguan 14 mln euro taksa për një ndërtim. Kur korrupsioni ishte më i lartë paguhej shumë më pak taksë sepse përqindjen e taksës e kanë në dorë ata që qeverisin dhe që janë edhe promotorë ose kundërshtarët e korrupsionit. Por 14 mln euro taksë me korrupsion nuk shkojnë bashkë. Nëse rriten të ardhurat, ato nuk rriten nga shiu, por taksat. Nëse arka e shtetit ka më shumë të ardhura dhe ne kemi më shumë të ardhura, atëherë do të thotë që ka më pak korrupsion. Ndërtuesit që kapërcejnë pragun e kanë luftën me ne për cilësinë e projekteve, ndaj janë rastet për të cilat flitet, ndryshe si do pretendonim që korrupsionin po e ulim nëse nuk do kishte shembuj edhe të kësaj natyre, edhe shembuj pozitivë të ndërtimit, rritjes së ekonomisë, pagave, pensioneve, dhe shembujve negativë që ekspozohen në luftën ndaj korrupsionit janë dy anë të së njëjtës medalje që këtu ka më shumë ekonomi dhe më pak korrupsion.









