Pas “alarmit” të Shoqatës së Prodhuesve së Birrës Vendase për mbylljen përkohësisht të disa fabrikave në vend, operatorët paralajmërojnë për transferim të prodhimit në Serbi.
Arsyeja mbetet kostoja e larte nga dyfishimi i akcizës nga 1 janari dhe shtrenjtimi i lëndës së parë (birra malto dhe ambalazhimi), që solli rritjen e çmimeve të birrës vendase më shumë se ajo e importit.
Një prodhues pohoi për “Monitor” se do të shohë mundësinë e zhvendosjes së fabrikës drejt Serbisë, pasi investimi është më i leverdishëm nga kostot prodhuese dhe subvencionet nga shteti.
“Me politika rritje taksash, siç ishte akciza që u barazua me nivelin e importuesit, vendosje gjobash, kontrolle pafund dhe pakuptim të tatimeve, doganave dhe AKU, do të shohim mundësinë e hapjes së fabrikës në Serbi. Për të vetmit që ndiejmë keqardhje janë punonjësit tanë. Situata në sektorin prodhues të birrës ka hyrë në krizë.”
Përveç rritjes së akcizës, nga 1 janari prodhuesit u goditën edhe nga rritja e çmimit të birrës malto të importit. Më 1 janari 2022 çmimi i birrës malto të importuar ishte 420 euro/Ton, ndërsa nga 1 janari 2023 po shitet dyfish më shtrenjtë (duke përfshirë edhe rritjen e çmimit pas nisjes së Luftës Ukrainë-Rusi).
Më herët, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve shqiptarë, Stefan Pinguli, thote se për shkak të shtrenjtimit të kostove, mungesës së shitjes nga zgjerimi i tregut të birrës së huaj me çmim të ulët disa fabrika mbyllën prodhimin për muajt janar-shkurt. Pinguli shtoi se dyfishimi i akcizës rrezikon të zhdukë prodhimin shqiptar, për shkak të shtimit të peshës së birrës së importit. Sipas tij pesha e importit rrezikon të arrijë deri në 80% të tregut.