Ekuipazhet ukrainase të tankeve kanë mbërritur në Britani të madhe për të filluar stërvitjet e tyre.
Kështu tha ministria Britanike e Mbrojtjes më 29 janar, dhe kjo vjen vetëm disa ditë pasi Britania dhe vendet e tjera të NATO-s premtuan më shumë se 130 tanke për Ukrainën.
“Mbretëria e Bashkuar do t’i ofrojë Ukrainës tanke Challenger 2 së bashku me vendet partnere globale – duke demonstruar ndërkombëtarisht mbështetjen për Ukrainën”, shkroi ministria në Tëitter të dielen.
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania ranë dakord javën e kaluar për t’i dërguar Ukrainës tanke Abrams dhe Leopard 2, ndërsa Mbretëria e Bashkuar më herët në janar tha se do t’i dërgojë Kievit 14 tanke Challenger 2.
Gjermania lejoi gjithashtu vende të tjera, si Norvegjia dhe Polonia, t’i dërgonin tanket e tyre Leopard 2 të prodhimit gjerman në Ukrainë.
Polonia tha se do të sigurojë 60 tanke të tjera për Ukrainën, përveç 14 tankeve Leopard 2 të prodhimit gjerman që ajo ka premtuar tashmë.
Autoritetet ukrainase kanë thënë vazhdimisht se atyre u nevojiten 300 tanke ndërsa përpiqen të dëbojnë forcat ruse nga territori i tyre.
Rusia ka shumë më shumë tanke se Ukraina, por modelet e tyre janë inferiore në disa aspekte kyçe ndaj modeleve perëndimore.
Si Rusia ashtu edhe Ukraina pritet të nisin ofensiva në javët e ardhshme, me tanke që pritet të luajnë një rol jetik në ato beteja, thanë ekspertët.
Ndërkohë, luftimet në vijën e frontit mbeten intensive, veçanërisht në rajonin lindor të Donjeckut, me beteja të mëdha në Vuhledar dhe Bahmut, një qytet që është rrafshuar nga bombardimet e përsëritura të artilerisë ruse.
Kreu i administratës ushtarake rajonale të Donjeckut, Pavlo Kyrylenko, tha më 29 janar se katër persona u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën në sulmet ruse në Bahmut dhe Kostyantynivka një ditë më parë./rel