Bilanci i vitit 2022 i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dëshmoi se Policia e Shtetit vijon të ketë probleme. Punonjës të caktuar shpesh janë konstatuar në anën tjetër të ligjit dhe të dyshuar për vepra të rënda penale deri tek vrasja, përkrahja e autorit të krimit, korrupsioni e shpërdorimi i detyrës.
Gjatë vitit të kaluar janë arrestuar 168 punonjës policie dhe mbi 300 të tjerë janë nën hetim nga prokuroria. Rasti më të flagrant që tregoi inkriminimin e një pjese të policisë ishte arrestimi i oficerit të Operacionales, Jeton Lami, i akuzuar se ka ndihmuar të shumëkërkuarin Ervis Martinajn, fati i të cilit mbetet ende mister.
Komisari Arjan Tase u vu në pranga me akuzën e vrasjes së 7-vjeçares Jonada Avdia në plazhin e Potamit, në Dhërmi gjatë kësaj vere ndërsa inspektori Ludian Zaimi vrau me armën e shërbimit brenda komisariatit nr. 3 kolegun Çaush Saliasin.
Gjatë këtij viti është provuar se persona të caktuar nga uniformat blu. Në nëntor të 2022 në Berat u zbulua një kapanon për përpunimin e kanabisit ku ishin punësuar rreth 90 gra. Për këtë serë të pazbuluar nga policia vendore u pezulluan 7 oficerë dhe zinxhiri komandues i drejtorisë së këtij qarku.
Përveç Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore edhe vet strukturat e rendit kanë evidentuar shkelje mes radhëve të tyre. Vetëm gjatë vitit që lamë pas me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë janë përjashtuar nga policia rreth 80 punonjës për shkelje të ndryshme./Top Channel