Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla u shpreh sot se e ka takuar ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, McGonigal në njërën nga vizitat që ish-agjenti ka zhvilluar në Tiranë. Socialisti u shpreh se në këtë çështje nuk ka histori.
“Patjetër edhe unë e kam takuar. Kemi ndarë, diskutuar në funksion të marrëdhënieve të shkëlqyera në funksion të strukturave ligj-zbatuese të Shqipërisë dhe SHBA-së.
Kushdo, nëse të vjen një kërkesë për t’u takuar me një përfaqësues të atij niveli, askush nuk do i thoshte jo.
Kanë qenë takime të një karakteri të një bashkëpunimi…pasi iku nga detyra nuk e kam takuar. Në këtë histori nuk ka çështje.
Nuk mban përgjegjësi asnjë autoritet shqiptar sa kohë që gjatë bisedës apo takimit është një bisedë që lidhet në kuadrin e një takimi njohës për probleme apo ndarje eksperience” tha ai.
Në fund ai la të kuptohet se McGonigal “mund të ketë takuar edhe përfaqësues të opozitës”.