Kandidati i Partisë Demokratike për kreun e Bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi, zhvilloi një takim me banorët e njësisë nr.3 në Tiranë, të cilët i ftoi ta bëjnë vetë krahasimin mes asaj që ndodh përreth tyre dhe propagandës së Veliajt.
“Më 14 Maj është e padiskutuar fitorja. Kështu si jeni ju, jua them me bindje absolute që kështu si jeni ju, në çdo rrugicë ku shkojmë, në çdo lagje, qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës. Mos shihni sondazhet që nxjerrin Erjon Veliajn fitues në Tiranë, apo Edi Ramën fitues. Mjafton t’ju pyes unë ju këtu, në sondazhet që ju bëni çdo ditë me njerëzit që takoni, në familjet tuaja, të afërmit, miqtë, te supermarketi, te lokali i lagjes, në rrugë, kudo. A ju del njeri t’ju thotë që Erjon Veliajn e meriton ta votojnë prapë? Kaq më thoni!”, njofton Zyra e Shtypit e PD.
Kandidati demokrat tha se propagandës së Erjon Veliajt i ka dalë boja, madje është shndërruar në një fenomen qesharak për banorët e Tiranës.
Qytetarët në bashkëbisedimin me kandidatin e opozitës për Bashkinë Tiranë, Belind Këlliçi shprehën shqetësimet, problemet dhe pritshmëritë e tyre, në lidhje e administratën e ardhshme të Bashkisë.