Në një kohë kur nga bizneset e mallrave të akcizës pritej përfundimi i kontratës së koncesionit të pullave fiskale, qeveria ka miratuar projektligjin për shtyrjen e saj.
Projektligji i propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, i miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, sipas burimeve të Monitor në qeveri zgjat afatin e zbatimit të kontratës.
Ndryshimet e miratuara në qeveri pritet të ndezin debate të forta te grupet e interesit, të cilat prej një kohë të gjatë kanë ngritur shqetësimin për kosto të rënduara nga tarifa 10 herë më e lartë e pullave fiskale që ata paguajnë krahasuar me vendet e BE.
Bizneset prodhuese dhe importuese të mallrave të akcizës u goditën në kosto nga 1 janari edhe me rritjen e akcizës dhe lëndëve të para. Kostot nga pagesat e tarifave të pullave fiskale për një nga bizneset më të mëdha të mallrave të akcizës arrijnë deri në 2 mln euro në vit.
Në Europë çmimi mesatar i pullave fiskale është 3 USD për 1,000 copë, në Kosovë 2,2 USD ndërsa në Shqipëri është 22,4 USD. Pavarësisht kostove të larta të paguara nga sipërmarrja, ata pohojnë se efektet e luftës së informalitetit dhe tregtisë së paligjshme nuk janë zgjidhur.
Një vit më parë nisur nga shqetësimet e përsëritshme të bizneseve Ministria e Financave dhe Avokatura e Shtetit ngriti një grup pune për të zgjidhur ngërçin e krijuar për përfundimin e kontratës./ Monitor