Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanovic, ka befasuar të gjithë me deklaratën e tij se Kosova i është aneksuar Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar. Ndërkohë që foli për luftën Rusi-Ukrainë, Milanoviç tha se ishte Rusia shteti që kishte bërë aneksimin dhe e krahasoi atë me rastin e Kosovës. Ai tha se Kosova i përkiste Serbisë por u aneksua nga bashkësia ndërkombëtare.
“Derisa të kuptojmë se Serbia dhe Rusia nuk janë e njëjta gjë, ky është fatkeqësisht një fakt i dhimbshëm dhe rrezik. Ne aneksuam Kosovën. Ne dhe komuniteti ndërkombëtar. Iu mor Serbisë. Kush tjetër e bëri veç nesh? A e njohëm Kosovën? Nuk është aneksim madje, por rrëmbim. Si quhet ndryshe? Kjo nuk ka të bëjë me çështjet që diskutohen sot në Kosovë, por me konceptin në tërësi”, tha Milanovic gjatë një prononcimi për mediat.
Milanovic u shpreh gjithashtu kritik ndaj veprimeve të Perëndimit dhe tha se ajo që po ndodh në Ukrainë duhet të ndalohet.