Greqia gjendet në mes të fushatës zgjedhore, megjithëse ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve parlamentare. Periudha legjislative përfundon në korrik 2023, por është e mundur të ketë zgjedhje të parakohshme më 9 prill.
Dy gjëra janë tashmë të sigurta: Së pari, publiku nuk do të marrë asnjë përgjigje për pyetjet e hapura për skandalin e përgjimeve, që po përhapet gjithnjë e më shumë. Dhe së dyti, fushata zgjedhore ka të ngjarë të kthehet në një përleshje mes konservatorëve në pushtet partisë Nea Dimokratia dhe aleancës së krahut të majtë Syriza.
Kjo u bë e qartë gjatë një debati tre-ditor në parlamentin grek javën e kaluar. Debati u shkaktua pas një mocioni mosbesimi nga kreu i opozitës Alexis Tsipras të mërkurën (25 janar 2023). Shkak për këtë është bërë një raportim i autoritetit për mbrojtjen e të dhënave (ADAE) për skandalin e përgjimeve që ka pushtuar Greqinë prej muajsh.
Agjencia konfirmoi se shërbimi sekret EYP kishte përgjuar Ministrin e Punës, Kostas Chatzidakis dhe pesë zyrtarë të lartë ushtarakë, përfshirë shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Greke, Konstantinos Floros. Muaj më parë ishte bërë e ditur se eurodeputeti Nikos Androulakis, kryetar i partisë së tretë më të madhe, PASOK, dhe dy gazetarë ishin përgjuar.