Në kulmin e debatit dhe akuzave nga opozita në drejtim të kryeministrit për dosjen “McGonigal”, Edi Rama sot e nisi ditën duke prezantuar projektin “Auto Moto Park Albania”, që sipas tij është një hap më pranë jetësimit të ëndrrës së cirkuitit të parë motosportiv sipas standardeve të FIA dhe FIM në Krastë, Elbasan. Ai premtoi se një ditë në Elbasan do të zhvillohet një garë e “Formula 1”.
“Për t’i hapur Shqipërisë një tjetër derë për të hyrë një tjetër kategori vizitorësh për të fuqizuar ekonominë dhe imazhin tonë. Ky projekt i hap rrugë një tjetër fronti të punësimit cilësor të të rinjve. Vende pune të mirëpaguara, teknologji e lartë dhe mundësi dhe horizonte të reja.
Dhe jam i bindur që duke bashkuar të gjitha forcat ne do ta realizojmë dhe sikur shumë gjëra në dukje të pamundura janë në rrugën duke u bërë të munduar dhe ajo çka do të dukej e pamundur deri sot që në Shqipëri të kishim edhe një garë të “Formula 1”, e ardhmja do të tregojë se edhe kjo është e mundur” tha ai.
“Bazuar në cilësitë e propozimeve lidhur me programin, përvojën e përdoruesit, operacionet, e fleksiblitetin të përdorimit juria njëzëri arriti në përfundimin se propozimi më i mirë u paraqit nga Test and Training International Wurz Design, përgëzime”, tha arkitekti Beat Huesler.
Në garë për Auto Moto Parkun e parë shqiptar ishin 4 studio ndërkombëtare. Ato kanë marrë pjesë më parë në projektimin e mbi 200 pistave automotosporti në botë.