Në Shqipëri, pohimet përpara autoriteteve të Drejtësisë, të Rozeta Dobit, pastrueses që punonte në banesën e ish zyrtares Alda Klosi, por dhe deklaratat kontradiktore të kësaj të fundit e të vëllait të saj, ishin ato që çuan prokurorinë në vendimin e arrestimit të premten në mbrëmje.
Zonja Klosi dyshohet për të paktën tre vepra penale “Pastrim parash”, “Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” si dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private…” duke qenë se për shkak të posteve që ka mbajtur ka detyrim deklarimin e të ardhurave dhe pasurisë.
Sipas dokumenteve të Prokurorisë, të cilat Zëri i Amerikës ka mundur të shohë, Dobi ka treguar se ajo kishte vënë re shpesh prani të sasive të mëdha të parave në shtëpinë e Klosit.
Sipas saj disa vite më parë ajo kishte gjetur shuma të mëdha të mbuluara me batanije në në krevatin e ish zyrtares, ndërsa gjatë vitit 2021 deri në fund të viti të shkuar, ajo ka rrëfyer se në shtëpi ka patur “kuti me para, me vlera të mëdha monetare në euro”, por duke saktësuar se “për mënyrën e lëvizjes së tyre, nuk e di se ku i merrte dhe ku i dërgonte Alda”.
Përveç kësaj, ish zyrtarja është “tradhëtuar” dhe nga i vëllai, i cili dy ditë më pas, ka dhënë një tjetër version mbi origjinën e parave. Ai ka deklaruar se paratë janë marrë hua nga një mik i familjes për të ndihmuar xhaxhain që ishte i sëmurë.
Zonja Klosi pritet të mësojë nesër vendimin e gjykatës për masën e sigurisë. Veprat penale për të cilat ajo dyshohet, parashikojnë një dënim nga 5 deri në 10 vite burgim. E për këtë arsye, prokuroria kërkon që ndaj saj të mbetet ne fuqi ‘arresti me burg”./VOA