Sot do i njohet masa e sigurisë Alda Klosit. Pohimet përpara autoriteteve të Drejtësisë, të Rozeta Dobit, pastrueses që punonte në banesën e ish zyrtares Alda Klosi, por dhe deklaratat kontradiktore të kësaj të fundit e të vëllait të saj, ishin ato që çuan prokurorinë në vendimin e arrestimit të premten në mbrëmje.
Rozeta Dobi, e arrestuar në fillim të janarit për vjedhjen e banesës së ish zyrtares, bëri një kthesë të fortë të qëndrimeve të mbajtura fillimisht, kur pranoi vjedhjen të vetëm 120 mijë eurove dhe 30 mijë dollarëve apo dhe të bizhuterive në shtëpinë e zonjës Klosi, dhe refuzoi të jepte shpjegime për origjinën e 404 mijë eurove të tjera të gjetura të fshehura në shtëpinë e saj, në tubin e aspiratorit.
Gjatë marrjes në pyetje të premten, ajo ka pohuar se të gjitha paratë i përkasin ish zyrtares. Përveç kësaj, ish zyrtarja është “tradhëtuar” dhe nga i vëllai, i cili dy ditë më pas, ka dhënë një tjetër version mbi origjinën e parave. Ai ka deklaruar se paratë janë marrë hua nga një mik i familjes për të ndihmuar xhaxhain që ishte i sëmurë. Madje ai ka paraqitur dhe një deklaratë huaje me shkrim dore, që datonte 3 nëntor 2022. Deklaratë të cilën prokuroria dyshon se është fiktive.
Klosi, e cila të nesërmen e arrestimit u shtrua në spital, për shkak të problemeve me tensionin, pritet të mësojë nesër vendimin e gjykatës për masën e sigurisë. Veprat penale për të cilat ajo dyshohet, parashikojnë një dënim nga 5 deri në 10 vite burgim, e për këtë arsye, prokuroria kërkon që ndaj saj të mbetet ne fuqi ‘arresti me burg”.