Në Turqi dhe Siri po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar personat që besohet se kanë mbetur nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara nga tërmetet e fuqishme që goditën këto dy shtete. Mbi 5.000 persona raportohet se kanë vdekur, pasi një tërmet prej 7.8 ballësh goditi në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.
Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit. Agjencia për Fatkeqësi në Turqi tha se numri i viktimave nga tërmetet është rritur në 3.419. Orhan Tatar, zyrtar në Autoritetin për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave tha se 20.426 persona të tjerë janë plagosur dhe 5.775 ndërtesa kanë kolapsuar. Në Siri, në zonat e kontrolluara nga Qeveria, janë raportuar 812 persona të vdekur, tha agjencia shtetërore e lajmeve SANA.
Kjo agjenci tha se 1.449 persona janë plagosur në provincat Alepo, Lakatia, Hama, Idlib dhe Tartus. Në pjesën veriperëndimore të shtetit, që kontrollohet nga rebelët, më herët u raportua se janë vrarë 450 persona dhe qindra të plagosur. Qeveria turke tha se mbi 13 milionë persona brenda vendit janë prekur nga tërmetet e fuqishme. “Ky tërmet ka prekur drejtpërdrejtë 13.5 milionë qytetarë tanë”, tha ministri i Urbanizmit, Murat Kurum. Disa nga rrugët ende nuk janë të qasshme dhe ekipet po punojnë që ato të hapen për qarkullim. Ai tha se disa rajone kanë mbetur pa ujë.









