Një politikan turk është në mesin e mijëra njerëzve të vdekur nga tërmeti. Yakup Tas 63 vjeç, një anëtar i partisë në pushtet të presidentit Rexhep Tajip Erdogan, u gjet mes rrënojave të shtëpisë së tij në qytetin Adiyaman, raportuan mediat shtetërore. Agjencia Anadolu tha se bashkëshortja, vëllai, kunata dhe dy nipërit kanë vdekur gjithashtu.
Ekipet e shpëtimit po luftojnë me kohën në përpjekje për të gjetur dhe nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat e ndërtesave të shembura pas termetit të fuqishëm që goditi Turqinë dhe Sirinë, duke shkaktuar vdekjen e mbi 5 mijë njerëzve.
Vende të shumta kanë dërguar ekipe për të ndihmuar përpjekjet e shpëtimit. Agjencia turke e menaxhimit të fatkeqësive tha se mbi se 24 mijë e 400 persona ndodhen në terren, një numër i pamjaftueshëm për të mbuluar thirrjet për ndihmë në të gjitha zonat e goditura. Përpjekjet për të ndihmuar të mbijetuariit u penguan edhe nga temperaturat nën zero dhe mbi 280 pasgoditjet e tërmetit.