Detaje të reja dalin në lidhje me Matteo Messina Denaron, i cili u arrestua pak ditë më parë në Itali. Ai i kaloi dy vitet e fundit në Campobello di Mazar, një qytet disa kilometra larg Castelvetrano-s. Me emrin e Andrea Bonafede, bosi që kërkohej prej 30 vitesh nga autoritetet italiane duket se bënte një jetë normale.
Por ku ishte Matteo Messina Denaro më parë ? Pikërisht kësaj pyetje po përpiqen t’i përgjigjen autoritetet teksa po mbledhin informacione për bosin e mafias.
Ndërkohë, gjurmët e hetimeve të çojnë në shumë vende, bosi i Cosa Nostras duket se ka udhëtuar në shumë shtete, mes tyre dhe Shqipëri. Mediat italiane raportojnë se Denaro ka qenë në Spanjë, Tunizi, Shqipëri, Mal të Zi dhe në Kalabri.
Udhëtimet dhe qëndrimet e gjata kanë emërues të përbashkët drogën. Këto veprimtari i sillnin bosit të mafies të ardhura të larta, për të plotësuar standardet e tij të larta të jetesës, ndërsa flitet për 150 milionë në vit.
Nëse gadishulli Iberik është një vend që bosi i mafias e njeh që nga viti 1994, kur ai e kishte ekzaminuar veten në qendrën e oftalmologjisë Barraquer në Barcelonë, pistat që e vendosin atë në Tunizi dhe Shqipëri janë të shumta. Në të dyja rastet, vizitat e bosit të drogës në këto vende kanë qenë aktivitetet për trafikim të lëndëve narkotike.
Në Shqipëri Messina Denaro kishte dërguar si fillim si ‘ambasador’ të vendosjes së këtyre marrëdhënieve, Luca Bellomo, bashkëshortin e mbesës së tij Lorenza, ndërsa më pas shkoi vetë personalisht.
Po ashtu Blogsicilia shkruan se Denaro ka krijuar marrëdhënie me përfaqësues të institucioneve dhe sipërmarrësit. Në udhëtimin e tij të fundit ai kishte qenë dhe në një kazino në Mal të Zi. Por të gjitha këto udhëtime ishin ndërprerë pas një sëmundje të rëndë nga e cila vuan.
Sipas hetuesve, tashmë bosi i mafias kishte vendosur që të priste vdekjen pranë familjes së tij. Ashtu si edhe babai i tij. Ndërkohë, ai zgjodhi që të kalonte ditët e tij vetëm 8 km larg vendlindjes, me një identitet tjetër. Dhe që askush mos të dyshonte se ai ishte pikërisht njeriu më i kërkuar në botë.