Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa në një deklaratë për mediat është shprehur se Skënder Gjinush është një McGonigal i dytë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
“Edi Rama, në kundërshtim me ligjin, kërkon t’i japë edhe një mandat Skënder Gjinushit si kryetar i Akademisë së Shkencave.
Edhe pse mandati i tij aktual është në Gjykatë Kushtetuese dhe pret shqyrtimin; edhe pse zgjedhja e tij në krye të Akademisë nuk është dekretuar nga Presidenti i Republikës se ishte antiligjore; edhe pse është denoncuar publikisht si pazar që ka në mes shitjen e ish-partisë së Gjinushit për interesat politike të Ramës, prapë Kryeministri nuk ndalet.
Reagimi, si i Partisë Demokratike, ashtu edhe i akademikëve Artan Fuga dhe Apollon Baçe ka qenë i fortë dhe do të vazhdojë.
Akademiku Baçe ka ngritur dy pyetje në analizën vjetore të Akademisë së Shkencave në lidhje me kërkesën për ndryshimin e ligjit, të propozuar nga dy deputetë socialist dhe që lejon rizgjedhjen e Gjinushit në krye të institucionit:
1- Shkak për kërkesën e amendimit të ligjit, a u bë shqetësimi vetjak i deputetëve për situatën në Akademi, apo kjo kërkesa u përgatit dhe ju delegua atyre nga kryesia e Akademisë?
2- Nëse kërkesa u delegua nga kryesia e Akademisë, përse ajo nuk u diskutua dhe miratua në asamble, siç e kërkon paragrafi 6 i nenit 11 të ligjit, i cili ngarkon për miratimin dhe ndryshimin e statutit asamblenë, jo kryesinë?“, u shpreh Zhupa.