Rusia ndërmori të premten një valë sulmesh me raketa dhe dronë në gjithë Ukrainën, ndërsa ofensiva e Moskës, që Kievi thotë se ka nisur prej ditësh, duket se është intensifikuar në zonat lindore në prag të përvjetorit të agresionit. Forcat ruse kanë hedhur mbi 100 raketa dhe shtatë dronë që nga e enjtja, tha shefi i ushtrisë së Ukrainës, gjeneral Valerii Zaluzhnyi.
Kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal tha se Moska vuri përsëri në shënjestër infrastrukturën e energjisë elektrike në “një tjetër përpjekje për të shkatërruar sistemin energjetik të Ukrainës dhe për t’i privuar ukrainasit nga dritat, ngrohja dhe uji.”
Forcat e Kremlinit u përqendruan në lindjen industriale të Ukrainës, veçanërisht në provincat Luhansk dhe Donetsk që përbëjnë rajonin industrial të Donbasit ku luftimet e fundit kanë qenë më intensive, tha ushtria ukrainase. Separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar kundër forcave ukrainase atje që nga viti 2014.
Por vala e sulmeve shkoi edhe më tej, duke vënë gjithashtu në shënjestër kryeqytetin Kiev dhe Lvivin, pranë kufirit perëndimor të Ukrainës me Poloninë. Goditjet u drejtuan gjithashtu ndaj infrastrukturës kritike të Kharkivit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës në verilindje. Shtatë persona u plagosën, dy prej të cilëve rëndë.
Sirenat e alarmit për sulme ajrore u dëgjuan në pjesën më të madhe të vendit.
Kievi beson se Moska po planifikon një sulm nga toka në lindje, ku Kremlini po përpiqet të sigurojë kontrollin e zonave që ka aneksuar ilegalisht dhe ku pretendon se sundimi i tij është i mirëpritur. Në rajonin e Donetskut, zyrtarët lokalë ukrainas njoftuan se ushtria ruse dislokoi trupa shtesë dhe nisi operacione sulmuese.