Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në takim me kryetarët e degëve të Tiranës dhe të deleguar ndër të tjerë ka folur në lidhje me protestën e djeshme.
Sipas Berishës ata vunë në dyshim sukseset e revolucionit paqësor demokratik janë naivë ose të etur për gjak.
“Ne bëmë një gjë të jashtëzakonshme, treguam se këtu ka një popull që nuk pajtohet kurrë me aktet kriminale të Edi Ramës dhe është i vendosur të arkivojë në banesën e tradhëtarëve, hajdutëve, këtë kriminel që firmos ‘bam, bam,bam, e fap, fap, fap’, për të mbushur xhepat dhe baulet e tij. Që rekruton kryezbuluesin e SHBA-së për të na luftuar ne, opozitën, sepse sipas tij, vendi nuk duhet të ketë opozitë.
Ne thamë dje, se protesta ishte sipari i një revolucioni paqësor, i revolucionit tonë, revolucion demokratik, paqësor.
Një revolucion paqësor është revolucion paqësor. Ata të cilët shprehin dyshime dhe mos besim në revolucionet paqësore dhe demokratike, nëse e bëjnë nga padia u them të lexojnë. Me revolucion paqësor demokratik, jo në një ditë, as në 5, as në 10, as në një muaj, as në tre muaj, ne përmbysëm diktaturën komuniste në Shqipëri me votën e lirë.
Ata që venë në dyshim sukseset e revolucionit paqësor demokratik, ose janë naivë, ose të etur për gjak. Ne nuk jemi as naivë, as të etur për gjak. Kemi bërë një revolucion ndaj regjimit më stalinist të Europës, kemi shmangur gjakderdhjen, kemi firmosur fitoren,” u shpreh Berisha.