Dy vite më parë, Mehmet Arslan, arkitekt rreth të 30-ave, dhe e shoqja Mediha, mund të përballonin blerjen e një apartamenti në Stamboll. Jo më. Paga e zotit Arslan u rrit me 30% vitin e kaluar, por inflacioni është dyfishuar.
Çmimet e shtëpive janë rritur edhe më shumë, si rezultat i kostove më të larta të ndërtimit, stokut të ulët të banesave dhe rritjes së kërkesës, kryesisht nga turqit që shpresojnë të mbrojnë kursimet nga inflacioni. Në 12 muajt deri në tetor, çmimet e pronave në Stamboll, u rritën me 241%, sipas firmës së konsulencës Endeksa.
Paga e zotit Arslan tani mezi mbulon qiranë dhe shpenzimet e tjera të jetesës. “Ne kemi hequr dorë nga shpresa për të pasur një shtëpi”, thotë ai.
Gjendja e tyre e vështirë financiare pasqyron një eksperiment ekonomik të shkuar keq. Erdogani beson se ilaçi për inflacionin janë paratë më të lira. Vitin e kaluar, ai ka vënë në provë teorinë e tij, e cila është po aq popullore mes ekonomistëve, sa edhe alkimia mes shkencëtarëve.
Ndërsa bankat e tjera qendrore janë përpjekur të frenojnë inflacionin, duke rritur normat e interesit, banka e Turqisë ka bërë të kundërtën. Ajo ka ulur normën bazë të interesit me 10 pikë përqindje që nga shtatori 2021, duke e çuar atë në 9%.
Kjo ka ndihmuar rritjen, e cila mund të ketë qenë 5% vitin e kaluar, pas shifrës 11% në vitin 2021. Por gjithashtu, ajo e ka nxitur inflacionin në nivelin e dytë më të lartë në G20 pas Argjentinës, dhe gati 13 herë mbi objektivin e Bankës Qendrore./MONITOR