Në një kohë që parlamenti do të përfshihet nga debati brenda dhe protesta jashtë për dosjen “McGonigal” kryeministri Edi Rama pasditen e sotme nuk do të jetë i pranishëm. Kjo pasi në 17:00 do të presë në zyrën e tij kryeministrin e Bavarisë Markus Söder i cili zhvillon vizitë zyrtare në Shqipëri.
Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrit, në përfundim të takimit dy kryeministrat do të mbajnë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Një mesazh përpara takimit e kishte edhe vetë Edi Rama duke injoruar protestën.
“Pothuajse dyzet vjet pas ardhjes misterioze në Shqipëri të legjendës së Unionit Kristian-Social gjerman, kryeministrit bavarez Franz Josef Strauss, i cili i hapi rrugën vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes RSSH-së dhe RFGJ-së, mikpresim sot në kryeministri pasardhësin e tij në krye të Shtetit të Lirë të Bavarisë, Markus Söder” shkruan Rama.