Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi për mes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka njoftuar se nesër në Kuvendin e Kosovës do të bëhet shkarkimi i tij nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë si dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BE- Kosovë.
Sipas njoftimit të Abazit ky shkarkim vjen si urdhër i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai gjithashtu ka njoftuar se gjatë kësaj seance do të diskutohet për audio/ video incizime të cilat kanë lidhje me skandale.
“Nesër po ashtu flasim për audio/ video incizimet dhe skandalet tjera që ky urdhër mëton t‘i mbulojë,” thuhet në njoftim.
Në seancën e së enjtes e Kuvendit të Kosovës si pikë e veçantë e rendit të ditës është edhe propozimi i Grupit Parlamentar të LVV-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.
Ndërsa, deputeti Abazi kohët e fundit shpesh herë me deklaratat e tij ka dalë kundër qëndrimeve të partisë së tij në Kuvend. Ai kishte kundërshtuar qëndrimin e Kurti për targat.
Abazi ka është deklaruar edhe kundër Strategjisë së energjisë si dhe kundër themelimit të Byrosë për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme.