Mbrëmjen e djeshme pronari i një banesë, Kapllan Nasufi 60-vjeç humbi jetën tragjikisht pasi shtëpia u përfshi nga flakët. Familjarët lëshuan akuza të forta pasi sipas tyre ambulanca u vonua.
Por drejtori i spitalit rajonal të Shkodrës Senad Hallunaj ka reaguar duke deklaruar se ambulanca ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes për 7 minuta pas marrjes së njoftimit nga zjarrfikësit.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:45, njoftimi ka qenë në orën 22:46. Zjarrfikëset kanë lajmëruar urgjencën. Rreth 7 minuta nga njoftimi që ka marrë nga zjarrfikësja, ambulanca ka mbërritur për 7 minuta.
Heronjtë e zjarrfikësve kanë qenë duke kryer detyrën, ndërhyrja nga ana mjekësore ka qenë e pamundur. Duke pas parasysh mundësinë e një ngjarje më të madhe, një ambulancë s’do kishte pas kapacitetin për ta përballuar është nis dhe ambulanca e dytë në orën 22:56.
Ambulanca e parë ka bërë transportimin e menjëhershme të zonjës. Pastaj ka mbërrit ambulanca e dytë e cila ka qenë rreth 1 orë në vendngjarje derisa ka dalë fatkeqësisht i shkrumbuar trupi i të ndjerit. Në gatishmëri ka qenë edhe një ambulancë e tretë për çdo mundësi.
Sipas protokolleve 5-10 minuta është koha minimale për të mbërritur ambulanca. Në raste të tilla u bëj thirrje qytetarëve që të njoftojnë 127, sepse është Urgjenca Kombëtare që koordinon të gjitha ambulancat, në mënyrë që shpejtësia e ambulancave të jetë e menjëhershme dhe efektive”, tha ai.
Një nga fqinjët deklaroi se ambulanca erdhi me vonesë. “Gruaja ka dalë e djegur e kanë çuar në spital. Kapllani ka vdek brenda. Se dimë si ka ardhur flaka, jemi zgjuar prej gjumi. Kushtet i kanë pas të këqija. Ambulanca ka ardhur me vonesë, policia ka ardhur më shpejt. Zjarrfikëset kanë ardhur me gjithë policinë” tha ajo.