Haki Abazi është shkarkuar sot nga posti i Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, me propozim të partisë së tij Lëvizjes Vetëvendosje. Në vend të tij, Kryetare e këtij komisioni do të jetë deputetja e VV’së, Arbëresha Kryeziu-Hyseni.
Më pas Abazi doli me akuza të rënda për partinë e tij për rastin Dehari e “ngufatje të zërit të deputetëve”. Abazi tha se për shkak të vërejtjeve të cilat i ka pasur për Qeverinë, shpesh i është mohuar e drejta e fjalës në Kuvendin e Kosovës.
Abazi në një konferencë për media tha se kryeministri Albin Kurti ka dhënë urdhër për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të komisionit për punë të jashtme.
Abazi u shpreh se për rastin e Astrit Deharit dhe zhdukjen e mostrave të tij duhet të merren në pyetje disa figura të Vetëvendosjes, duke filluar nga kryeministri Kurti.
“Nuk besoj që kamerat mund të gënjejnë se çfarë ka ndodhur. Prokuroria duhet të marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dejona Mihalin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balaj dhe Flutura Gogaj-Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për t’u mbajtur mbi supet e qytetarëve. Rrugët janë të qarta se si duhet të bëhet kjo punë”.
Abazi tha se Instituti i Mjekësisë Ligjore është i monitoruar 24 orë nga kamerat dhe se, sipas tij, dihet qartë se kush i ka nxjerrë mostrat e Astrit Deharit dhe i ka zhdukur ato. Ai ka thënë se lidhur me këtë rast kryeministri Kurti nuk e ka thënë asnjë fjalë dhe ky rast duhet të zbardhet.
“Audioinzicimet konfirmojnë diskutimin ndërmjet Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusarit dhe Dojona Mihajlit për ngulfatjen e zërit të deputetëve përbrenda parlamentit. Video-incizimet janë ato të cilat ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari”, u shpreh ai.