Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar me të cilën ka biseduar për dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas një njoftimit për media, Osmani takimin me homologen e saj sllovene e zhvilloi gjatë Konferencës për Siguri i cili po mbahet ne Mynih.
“Në takim u diskutua në lidhje me situatën gjeopolitike në Evropë, përfshirë luftën në Ukrainë dhe veprimet destabilizuese të Rusisë të cilat kanë tendencë edhe destabilizimin e rajonit përmes satelitit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
U diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Dialog, si dhe zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në Kosovë dhe rajon”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, në njoftim bëhet e ditur se presidentja Pirc Musar e informoi Osmani mbi prioritetet e saj presidenciale në politikën e jashtme, përfshirë vazhdimin e Samitit Bërdo-Brione.
Në takim u ri konfirmua përkushtimi për të vazhduar thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë me Republikën e Kosovës.