Administrata Bidenit ka arritur zyrtarisht në përfundimin se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit gjatë agresionit të saj gati njëvjeçar të Ukrainës, tha të shtunën Nënpresidentja amerikane Kamala Harris.
“Në rastin e veprimeve të Rusisë në Ukrainë, ne kemi shqyrtuar provat, ne i njohim standardet ligjore dhe nuk ka dyshim: këto janë krime kundër njerëzimit“, tha zonja Harris, një ish-prokurore, në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
“Dhe unë u them të gjithë atyre që kanë kryer këto krime dhe eprorëve të tyre që janë bashkëpunëtorë në to, do të mbani përgjegjësi”.
Përcaktimi zyrtar, i cili erdhi në fund të një analize ligjore të udhëhequr nga Departamenti amerikan i Shtetit nuk mbart me vete pasoja të menjëhershme për luftën në vazhdim.
Por Uashingtoni shpreson se mund të ndihmojë në izolimin e mëtejshëm të presidentit rus Vladimir Putin dhe të nxisë përpjekjet ligjore për t’i mbajtur anëtarët e qeverisë së tij, përgjegjës përmes gjykatave dhe sanksioneve ndërkombëtare.
Fjalimi i zonjës Harris vjen ndërsa udhëheqësit e lartë perëndimorë u takuan në Mynih për të vlerësuar konfliktin më të rëndë me të cilin po përballet Evropa që pas Luftës së Dytë Botërore.
Ajo tha se Rusia ishte tashmë një vend “i dobësuar” falë një koalicioni të udhëhequr nga Presidenti Biden që ka ndëshkuar Vladimir Putinin për sulmin në Ukrainë. Ndërkohë Kievi po planifikon një kundërofensivë në pranverë, për të cilën po kërkon armatime më të rënda dhe me rreze më të gjatë veprimi nga aleatët e saj perëndimorë.
Si pasojë e luftës gati njëvjeçare janë vrarë ,e dhjetëra mijëra vetë, janë zhvendosur miliona të tjerë si dhe është goditur ekonomia globale.