Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se pret që ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi t’i përmbahen propozimit evropian dhe të mos fokusohen në “interesat e njërës palë” duke folur për takimin e 27 shkurtit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Bruksel.
Për Asociacionin, ai ka thënë se janë pesë fjali të preambulës me 10 nene, duke shtuar se beson që do t’i përmbahen propozimit që kanë marrë dhe jo interesit të njërës palë. Kurti ka thënë se për gjëra të tjera nuk mund të flasin tani edhe për shkak se kjo varet nga ndërmjetësit e dialogut.
Ndërkohë që në një intervistë për “FRANCE 24” Albin Kurti tha se ishte “shumë optimist” se një marrëveshje që çon në normalizimin e plotë midis dy vendeve mund të arrihet “këtë vit”. Ai shprehu keqardhjen që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nuk janë normale” dhe pretendoi se Beogradi është izoluar duke “mos u shkëputur (…) nga Kremlini”.