Policia kufitare e Kosovës gjatë kontrollit të një automjeti me targa të Serbisë, që drejtohej nga një serb, në një fshat të Leposaviqit ka gjetur dhe ka konfiskuar 6 300 fishekë që po futeshin në Kosovë.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se sot në fshatin Jashanicë të Leposaviqit, në një pikë kontrolli, Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare-Veriu, kanë ndaluar një automjet me targa të Serbisë, të cilën e drejtonte një serb.
Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur rreth 6 300 fishekë. I dyshuari 42-vjeçar me inicialet J. Zh është shoqëruar në polici.
Policia e Kosovës vazhdon me aktivitete të shtuara për të ofruar siguri dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale përfshirë parandalimin e kontrabandës në pjesën veriore të vendit.