Partia Demokratike akuzoi sot Edi Ramën se ka shfajësuar sipas saj 10 anëtarë të bandës më të rrezikshme terroriste në historinë e vendit “Hakmarrja për Drejtësi”, e cila ka mbi shpinë 17 akuza të renda. Gjykata e Lartë vendosi që të refuzonte duke rrëzuar rekursin duke lënë në fuqi pafajësinë për anëtarët e asaj që Sali Berisha i cilëson banda e “Hakmarrjes për Drejtësi”.
“Hakmarrja për Drejtësi” e pafajshme! Leart Shyti flet për “5pyetjet.al”: Berisha i mori mesazhet
“Edi Rama ka shfajësuar 10 anëtarë të bandës më të rrezikshme terroriste në historinë e vendit “Hakmarrja për Drejtësi”, e cila ka mbi shpinë 17 akuza të renda. Kjo organizatë kriminale, më e madhja në vend në vitet 1992-1996, është përgjegjësi për një sërë veprash kriminale për të cilat u dhanë edhe dënime të përjetshme.
Ndër to numërohen vrasje, grabitje me armë me pasojë vdekjen e njerëzve të pafajshëm, plagosjen, grabitjen e fëmijëve, pengmarrje, gjobëvënie, vendosje eksplozivi, vrasje të efektivit të policisë, etj. Ne duhet të alarmohemi nga ky shfajësim i terrorit, të jemi në këmbë, në parlament dhe në sheshe, demokratë, socialistë e të paparti.
Nesër para parlamentit dhe me 3 mars para kryeministrisë, t’i tregojmë shtetit të kapur se pushteti dhe Shqipëria janë të shqiptarëve. Edi Rama dhe Rilindja nuk mund të shfajësojnë terrorin dhe të terrorizojnë qytetaret, pa u hyre gjemb në këmbë.
Shfajësimi i Hakmarrjes për Drejtësi duhet të shndërrohet në Drejtësi që merr hak për të gjithë ata që, si Pushteti, si Drejtësia e re, i hedh në gojë të ujqërve të krimit” tha zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo.