Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka deklaruar se i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që tani është koha për të diskutuar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai i ka bërë këto deklarata në Twitter, pas bisedës së zhvilluar më 24 shkurt.
“Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet që i kanë arritur në kuadër të dialogut, përfshirë përparimin drejt themelimit të Asociacionit”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.