Pasi tanket ruse hynë në Ukrainën lindore një vit më parë, miliona ukrainas u larguan drejt Polonisë. Shumë prej tyre arritën më këmbë tek pika kufitare në Medyka, ku i prisnin agjenci të shumta humanitare.
Jeta e shkurtër e Danilit është kthyer përmbys nga sulmi i Rusisë. Ai dhe nëna e tij Julia, u larguan nga Kievi një vit më parë. Ata qëndruan në Dnipro, por u shtrënguan të largoheshin sërish pasi qyteti u sulmua dhe sapo kanë mbërritur në qytetin kufitar polak Medyka.
Tashmë ata kanë një plan. Partneri i ri i Julias është shofer kamioni. Ata do të jetojnë në kamionin e tij, ndërsa ai përshkon rrugët e Evropës.
“Nuk është aq keq, pasi është shumë ngrohtë dhe kemi rrymë elektrike. Dhe është shumë interesante për djalin tim. Kam një djalë tre vjeç dhe nuk është aq keq. Ka siguri për ne”, thotë Julia Tenchuk.
Polina Osadacha ndihmon për t’u kujdesur për Danilin. Ajo është vetë refugjate, që tashmë punon për OKB-në në qendrën e pritjes së refugjatëve në pikën kufitare në Medyka. Ajo thotë se ukrainasit po i përshtaten luftës.
“Kur filluan problemet me prerjen e dritave, njerëzit u stresuan, u tronditën, çfarë duhej të bënin? Por, tashmë kanë gjeneratorë. Kanë bateri për energjinë”, thotë zonja Osadcha.
Britanikët Mo Hornik dhe Mikey Stewart-Richardson janë me organizatën bamirëse MAD Foundation, që dërgon ndihma në Ukrainë dhe tërheq refugjatët për në Britani. Sot pasagjeri i tyre është një mace.
“Pronarja e maces ka jetuar në Britani për ca kohë dhe dëshironte me dëshpërim bashkimin. Kështu që ndihmuam me organizimin e transportit. Është më e rëndësishme se kurrë ndonjëherë, që njerëzit të jenë të ndërgjegjshëm për situatën në Ukrainë. Mendoj se shumë njerëz mund të ndjehen disi të lodhur nga lajmet që shohin, por situata është ende shumë shumë e rëndë”, thotë zonja Hornik.
Në pikën kufitare në Medyka kanë ndryshuar shumë gjëra brenda një viti. Kur filloi sulmi i Rusisë, gati 30 mijë refugjatë kalonin kufirin çdo ditë.
Tashmë kalojnë në ditë vetëm disa qindra. Aty ku gjendeshin kuzhinat e supës, tashmë gjenden kioska telefonash. Autobuzët i largojnë ukrainasit me shpejtësi nga kufiri. Kryebashkiaku i qytetit Przemysl, pak kilometra nga kufiri, kujton kaosin e një viti më parë.
“40 për qind e gjithë refugjatëve nga Ukraina kaluan në këtë qytet. Pra është një sasi e jashtëzakonshme njerëzish që hynë në një qytet kaq të vogël. Shumë prej tyre ishin tepër të uritur dhe të etur. Disa prej tyre kishin nevojë për ndihmë mjekësore”, thotë kryebashkiaku Wojciech Bakun.
Një ish-supermarket në Przemysl është shndërruar në një qendër humanitare. Këtu magazinohen sasi të mëdha ushqimesh dhe pijesh, krevatesh dhe batanijesh.
Ekziston frika se një ofensivë e re e forcave ruse do të krijojë një valë të re refugjatësh.
“Sistemin e logjistikës e kemi të gatshëm për t’u zgjeruar. Kemi shumë shtretër të ruajtur nëpër shkolla dhe gjëra të tilla. Pra jemi gati sërish për një situatë të tillë. Por, shpresoj mos të krijohet prapë ajo situatë”, thotë kryebashkiaku.
Sulmi i Rusisë solli miliona refugjatë drejt Polonisë dhe një luftë tokësore të përmasave të mëdha në pragun e NATO-s. Dymbëdhjetë muaj më pas dhe me pak shenja për dhënien fund të konfliktit, të gjitha palët po përgatiten për një luftë të gjatë./VOA