Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e kanë mirëpritur vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të pranuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve, dhe e kanë përmendur nevojën e madhe për krijimin e kushteve drejt finalizimit dhe zbatimit të saj. Të tre liderët i kanë bërë këto deklarata në një letër nisur kryeministrit Kurti, një ditë para takimit të tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në Bruksel, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
“Në konkluzionet e 9 shkurtit, Këshilli Evropian e ka shprehur mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe të njëjtën kohë u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë, plotësisht dhe pa kushte, obligimet që kanë marrë në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, kanë thënë liderët evropianë.
Planin e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia, por ai nuk është prezantuar asnjëherë në publik. Në draft nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.