Dy persona janë arrestuar dhe një është shpallur në kërkim në Tiranë pas operacionit të zhvilluar në një pallat pranë “Pazarit të Ri” pasditen e sotme. “5pyetjet.al” sjell pamjet nga operacioni.
Ka qenë orë rreth 15:30 në momentin që forca të shumta policie, zjarrfikësja dhe ambulanca rrethuan një pallat dhe u nisën drejt katit të tretë pas sinjalizimit të banorëve.
“Hape derën jemi policia”. Ishin thirrjet, por dera jo vetëm që nuk u hap, por tre të rinj që ndodheshin brenda u hodhën nga ballkoni në kantierin e një pallati në ndërtim.
Policia u vendos pas dhe paraprakisht dy prej tyre mësohet se janë arrestuar. I treti me çantën në krah, dyshohet me lëndë narkotike arriti që të zhdukej mes rrugicave.
Britmat dhe ulërimat shkaktuan frikë dhe panik te banorët që ishin në qetësinë e së dielës. “Po vjen një e çuditshme” ishin bisedat mes fqinjëve.
Disa minuta më pas erdhi zjarrfikësja që hapi derën. Operacioni vazhdon. Për detaje të tjera zyrtare pritet njoftimi i policisë së Tiranës.








