Së fundmi media ekuadoriane “Expreso” i ka kushtuar një reportazh trafikantit shqiptar Arbër Çekaj.
“Pesëmbëdhjetë vjet më parë, mafia ballkanike gjeti një ‘degë’ në Ekuador për operacionet e trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë. Kjo organizatë kriminale kishte mbërritur në Kolumbi dhjetë vjet më parë, por lideri kriminal me bazë në vendin e kafesë, serbi Darko Sariç, nuk arriti atë që ‘misionari’ i dërguar në Ekuador arriti në një vit: u bë trafikanti më i madh i drogës në Ballkan.
Ky është shqiptari Arbër Cekaj, të cilit në vitin 2008 iu deshën vetëm disa muaj për të krijuar imazhin e një biznesmeni eksportues bananeje dhe për të arritur marrëveshje me ferma të ndryshme, legalisht, që t’i shisnin produktin dhe ta dërgonin në kontejnerë në kontinentin e vjetër, kështu nis artikulli.
Në shkrim thuhet se i riu kishte mbërritur me një Hyundai Tucson ngjyrë gri, i shoqëruar nga një e re, Sara.
“Nuk dihet se sa alkaloid ka arritur të transportojë, por dihet se sa ka pasur qëllim të trafikonte në ngarkesën e fundit: 32 blloqe, të shpërndara në katër kuti bananesh. Me vlerat e referencës llogaritet se ky mall i paligjshëm i kalonte 2 milionë dollarët”, thotë shkrimi.
Akush nuk e hetonte shqiptarin dhe zbulimi i tij u bë fare rastësisht dhe nga kurioziteti i një punonjësi ngarkimi në fermën e bananeve La Rosita, e vendosur në famullinë rurale Chobo, në kantonin Milagro, në Guayas. Episodi është vërtet interesant dhe tregon zbulimin e veprimtarisë së Arbër Çekaj:
“Në procesverbalet gjyqësore, detajohet se pak pas mesditës së 4 prillit 2015, shqiptari ka mbërritur në vendngjarje për të mbyllur blerjen e më shumë se një mijë kutive me banane, të cilat janë ngarkuar në një kontejner në prani të tij.