Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Dorian Teliti në një deklaratë për mediat theksoi se arsyeja e pagave të ulëta gjendet te modeli ekonomik i vendit.
DEKLARATË E ANËTARIT TË KËSHILLIT KOMBËTAR, DORIAN TELITI
Të dashur qytetarë!
E mbani mend Shqipërinë e 10 viteve më parë?
Kur vendi ynë i bëri ballë krizës boterore të vitit 2008 dhe ia doli më mirë se të gjitha vendet e rajonit…
Kur raportet e institucioneve ndërkombetare shpreheshin se Shqipëria gëzonte rritje ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të prekshme nga të gjithë qytetaret, apo përgëzohej qeveria Berisha për rritjen e të ardhurave dhe pagave me ritme disa herë më të larta sesa vendet e tjera…
Gjërat këto 10 vite kanë ndryshuar…për keq!
Revista Monitor ka përpunuar të dhënat për pagat mesatare në rajon ku rezulton se Shqipëria ka pagat më të ulëta krahasuar me vendet e Ballkanit.
Paga mesatare sot në Shqipëri është 520 euro, ndërkohë që mesatarja e vendeve të rajonit luhatet midis 800-900 euro, apo të pakten 40% më të larta.
Konkretisht, paga mesatare në Bosnjë është 893 euro, në Mal te Zi është 885 euro, në Serbi është 880 euro dhe në Maqedoninë e Veriut është 788 euro.
Gjithashtu, gjatë 3 viteve të fundit, vendet e rajonit kanë rritur pagat e punonjësve të tyre me 20-30 apo edhe 40%, ndërkohë që sipas Instat-it, gjatë kësaj periudhe, pagat në vendin tonë janë rritur me 19%.
Për më tepër, me një llogaritje të thjeshtë, nëse marrim parasysh normat e rritjes se çmimeve, paga reale në vendin tonë është ulur ndjeshëm gjate 3-4 viteve të fundit.