Takimi i sotëm i zhvilluar në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç sipas shefit të lartë të politikës së jashtme për BE-në, Josep Borrell ka rezultuar në pajtim për planin evropian.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se plani, i njohur deri tani si franko-gjerman apo evropian, emri zyrtar i tij është Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
“Pra, për të përmbledhur, propozimi evropian, emri zyrtar i të cilit është ‘Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës’ është pranuar dhe si e tillë do të publikohet në faqen zyrtare të BE-së,” tha Borrell.
Borrell e ka konsideruar takimin një zhvillim të madh bazuar në faktin se nga verën e kaluar ata ishin përfshirë vetëm në menaxhimin e krizave.
“Fokusi i takimit ka qenë që të diskutohet propozimi i BE-së për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është një zhvillim i madh sepse nga vera e kaluar jemi përfshirë në menaxhime krizash, me fokus vetëm në kriza, nga kriza në kriza, duke tentuar që t’i kontrollojmë krizat në terren. Ne tani po kërkojmë një zgjidhje të qëndrueshme. Ky propozim, i Bashkimit Evropian, është i miratuar nga Këshilli i Evropës dhe që nga atëherë ne jemi angazhuar në një diplomaci intensive,” u shpreh shefi i lartë i politikës së jashtme për BE-në.