Pas takimit të djeshëm në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç ka ardhur reagimi i Listës Serbe në mbështetje të Vuçiçit dhe në kritikë të opozitës serbe.
Sipas medias serbe në Kosovë, Lista Serbe ka kritikuar opozitën duke thënë se nuk janë përkrahës dhe duan vetëm “karrigen”.
“Në vend që të jenë përkrahës për vendin dhe popullin e tyre, ata zgjedhin të shikojnë nga anash se si të fusin duart në karrige dhe t’i vënë edhe më shumë barrë në shpinë Aleksandër Vuçiçit,”- citohet të ketë thënë Lista Serbe.
Opozita në Beograd e kritikoi ashpër presidentin e Serbisë duke e akuzuar për “tradhti” dhe “njohje të pavarësisë së Kosovës”, por Lista Serbe i doli në mbrojtje fuqishëm, duke kritikuar në veçanti përfaqësuesit e opozitës – Bogdanoviç, Rada Trajkoviç, Boshko Obradoviç dhe Millosh Jovanoviç.
“Pasi kuazi-opozita në Beograd humbi shpresën se presidenti Vuçiç do të nënshkruante kapitullimin dhe do të dorëzonte Kosovën dhe Metohinë, tani në vend të faljes, Goran Bogdanoviç, i cili jeton në Beograd, i cili në mënyrë të rreme paraqitet se jeton në Leposaviç, Rada Trajkoviç që jeton në Savski Venac dhe paraqitet si përfaqësuese e serbëve nga Kosova e Metohia, Boshko Obradoviç, i cili rrejshëm paraqitet si patriot dhe bën gjithçka kundër interesave të popullit serb, Millosh Jovanoviç, i cili rrejshëm paraqitet si serb, por fsheh se edhe ai është francez dhe të gjithë si ata vazhdojnë të gënjejnë dhe sulmojnë presidentin Vuçiç dhe nuk kanë asnjë fjalë për të thënë kundër Kurtit, apo atyre që krijuan dhe mbështesin fuqishëm Kosovën e pavarur,” thuhet më tej në mesazhin e Listës Serbe.