Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u shpreh sot në mëngjes se një ditë më parë ka pasur diskutime të ashpra por të suksesshme në Bruksel. Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një video në Instagram, Vuçiçi thekson se ka luftuar për “të ardhmen e Serbisë në paqe dhe vazhdimin e investimeve”. Ai ka shtuar se e mban “premtimin si president i Serbisë dhe Kosovës e Metohisë, si pjesë të Serbisë”.
“Po analizoj çka ka ndodhur. Kemi luftuar aq sa ka qenë e mundur në ato kushte të vështira dhe kemi luftuar për të ardhmen e Serbisë në paqe, për vazhdim të investimeve për shtetin tonë. Dhe po ashtu unë e mbaj premtimin për Kushtetutën e Serbisë dhe Kosovën e Metohinë si pjesë të Serbisë. Për ne, s’ka tjetër Serbi, e kemi një dhe do ta mbrojmë” tha ai.
Qeveria e Kosovës deklaroi sot se para fillimit të takimit zyrtar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell, Kurti realizoi një takim me zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç është propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mirëpo, pala serbe e refuzoi nënshkrimin. Në takimin trilateral, u dakordua që teksti i Propozimit të BE-së të mbetet i pandryshuar, edhe pse Serbia ende nuk është treguar e gatshme për ta nënshkruar. Palët do të fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”, thuhet në njoftimin për media.