Kreu i PL-së Ilir Meta në një deklaratë për mediat ditën e sotme u shpreh se Edi Rama po u merr pronat shqiptarëve pa asgjë në këmbim.
Duke përdorur gjoja si shkak tërmetin, Edi Rama me këtë vendim kërkon t’u grabisë qindra mijëra qytetarëve të Tiranës pronën më të shrenjtë që ata kanë, banesat e tyre.
Vendimi pretendon se gjoja godinat 50 vjeçare do të auditohen teknikisht, e nëse do të ishin gjoja jo të sigurta, ato do të prisheshin.
Por, godinat 50 vjeçare, që i i kanë rezistuar tërmeteve të njëpasnjëshme, kanë vetëm një kërcënim real dhe kryesor tërmetin e korrupsionit të Rilindjes.
Pas aferave korruptive me vlerësimet e banesave pas tërmetit, duke i përdorur këto ekspertiza korruptive si mundësi pasurimi dhe tjetërsimi, qeveria ka prishur në mënyrë abuzive mjaft ndërtime siç ka ndodhur në Kombinat por dhe në vende të tjera.
Ky vendim është haptazi Anti Kushtetues, pasi banesa së bashku me truallin kanë pronarë legjitim dhe prishjet me një VKM korruptive dhe defacto rrëmbimi i pronës nga ana e Qeverisë, dhunon kushtetutën dhe çdo ligj tjetër që bazohet mbi të.
Janë vënë në shënjestër pronat e zgjedhura të qytetarëve, që gjenden kryesisht në qendër të Tiranës dhe të qyteteve të tjera kryesore të Shqipërisë, pikërisht sepse ndërtimet në këto zona sigurojnë fitime marramëndëse për klientët e qeverisë, për oligarkët, narkotrafikantët, ku pastrimi i parave të korrupsionit të qeverisë dhe të gjithë burimeve të tjera kriminale, të kryhet pa asnjë pengesë.
Pasi grabitën të gjitha llojet e pronave, pasi shembën Teatrin Kombëtar në mesnatë, pasi kanë shembur kaq shumë banesa në mënyrë të paligjshme, pasi rrëmbyen përmes koncesioneve dhe PPP-ve asetet më strategjike të vendit, ky akt i fundit është sulm i drejtëpërdrejtë dhe brutal mbi qytetarët dhe pronat e tyre më jetike.