Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, biseduan shkurtimisht të enjten gjatë samitit të G20-s që po mbahet në Nju Delhi të Indisë.
Ky është takimi i parë i nivelit të lartë midis dy vendeve pas disa muajsh, dhe vjen pasi tensionet midis Uashingtonit dhe Moskës janë rritur për shkak të luftës Ukrainë-Rusi.
Zyrtarët amerikanë thanë se Blinkeni dhe Lavrovi biseduan për rreth 10 minuta në margjinat e konferencës së G20-s.
G20 përfshin 19 shtete dhe Bashkimin Evropian, dhe përbën rreth 85 për qind të ekonomisë botërore dhe dy të tretat e popullsisë së saj.
Një zyrtar i lartë amerikan tha se Blinkeni e përdori diskutimin për të folur me Lavrovin për tri pika, sikurse ajo që SHBA-ja do ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa duhet për t’i dhënë fund luftës, se Rusia duhet ta ndryshojë vendimin e saj pas pezullimit të pjesëmarrjes në traktatin bërthamor, dhe se Moska duhet ta lirojë të arrestuarin amerikan, Paul Whelan.
Zyrtari, i cili foli me gazetarët në kushte anonimiteti, tha se Blinkeni nuk pret që të ketë ndonjë ndryshim në sjelljen e Rusisë në një të ardhme të afërt.
Rusia ende nuk e ka komentuar takimin, por zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se Blinkeni kishte kërkuar të fliste me Lavrovin./rel