Vrasësi Dan Hutra që ekzekutoi me gjakftohtësi 3 gra dhe plagosi 3 të tjera, i kreu krimet tronditëse vetëm 14 ditë pasi u lirua nga burgu.
Gjykata ka reaguar duke deklaruar se vendimi i marrë nga gjyqtari është në zbatim të ligjit, pasi është në përputhje me kërkesën e prokurorit.
Deklarata e gjykatës :
Gjyqtari Gerd Hoxha ka zbatuar ligjin! Dënimi është ai qe ka kërkuar prokurori.
Aplikimi i gjykimit të shkurtuar nuk u kundërshtua as nga prokurori dhe as nga palët.
Lirimi ka ardhur vetëm pasi kishte kryer gjithë dënimin e kërkuar nga prokuroria.
Kujtojmë se në vendimin e gjykatës, që mban datën 8 shkurt 2023, Dan Hutra është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg dhe do të vuante vetëm 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Ky dënim i ulët në argumentimin e gjyqtarit Gerd Hoxha thuhet se është marrë për disa arsye.
Së pari, vepra është kryer me dashje nga i pandehuri, i shtyrë nga xhelozia, i pandehuri ka ndërmarrë veprime aktive, duke e kërcënuar (jo kanosur) me fjalë por, pa e goditur viktimën e pa i shkaktuar asaj dëmtime fizike; faktin se, i pandehuri e ka pranuar akuzën dhe ka shfaqur pendesë; faktin se Huta dhe viktima prisnin një fëmijë, ndaj të cilit i pandehuri ka detyrime themelore për rritje dhe edukim.
Gjithashtu sipas gjyqtarit, autori ka një nënë te moshës 74 vjeç, e cila vuan nga disa sëmundje dhe gjithashtu, kërkon kujdes shëndetësor të vazhdueshëm që mund të sigurohet nga i pandehuri.