Kryeministri Edi Rama pas më shumë se një muaji mungesë në Parlament, sot u rikthye për t’ju përgjigjur opozitës në mocionin me debat për dosjen “McGonigal”. Kreu i qeverisë tha se nuk ka lidhje me dosjen e zyrtarit të FBI-së që po hetohet në SHBA. Më pas kaloi duke sulmuar opozitën.
“McGonigal po hetohet për lidhje me një oligark rus, nuk ka lidhje me mua. Nuk ka asnjë akuzë apo të dhënë tjetër përveç raportimit korrekt të takimeve të mia me zyrtarin amerikan dhe faktit të vërtetë që ka folur me mua për rrezikun rus, por fronti i prokurorisë mediatiko-politike i pranishëm edhe në këtë sallë po zhvillon një tjetër proces hetimor, gjyqësor, përmbarimor në Shqipëri.
Se kush janë dhe përse e bëjnë besoj që nuk ka shumë nevojë për shpjegim. Dihet dhe njihet. Shquhen botërisht për nisma të tilla. Këtu nuk kam ardhur për këta, por për respekt të zgjedhësve që kam nderin të përfaqësoj dhe respektin e deputetëve të shumicës në këtë mocion mbase më absurd të debatit. Kjo është shthurje delirante e fantazisë njerëzore” tha ai.