Zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë që refuzoi rekursin e ish-policit Jeton Lami, i cili kërkoi lirinë nga qelia dhe hetimin në gjendje të lirë me argumentin se i rrezikohej jeta në burg.
Në pretendimet e tij në rekursin e bërë, ndaj vendimit të Apelit për ta lënë në burg, Jeton Lami shprehej se masa e sigurisë arrest me burg i rrezikonte jetën për shkak të profesionit të tij dhe kërkonte një masë më të butë sigurie duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret për caktimin e një mase shtrënguese si ajo e “Arrestit ne burg”.
Por gjykata e Lartë thotë se pretendimet nuk qëndrojnë duke e rrëzuar. Vendimi u mor në 7 shkurt.
Në rekurs, kërkuesi ka ngritur ndër të tjera këto pretendime:
Në këtë seancë gjyqësore të marrjes në pyetje, personi nën hetim, nëpërmjet mbrojtësve të zgjedhur theksoi se jemi në kushtet e caktimit të një mase më të butë sigurimi, pasi nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret për caktimin e një mase shtrënguese si ajo e “Arrestit ne burg”, duke e zëvendësuar dhe caktuar masën e “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 K.Pr.Penale ose në mënyrë alternative “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, duke pretenduar se nuk ekziston rreziku i prishjes apo dëmtimit të provave sepse janë administruar dhe as rreziku i ikjes, pasi ka bashkëpunuar me organin procedues dhe i rrezikohet jeta nga izolimi për shkak të profesionit.