Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. Pas pritjes me ceremoni zyrtare, takimi me kryeministrin Edi Rama u pasua nga konferenca për mediat. “Jam e lumtur që ndodhem këtu” tha ajo. Frederiksen shprehu mbështetjen për avancimin e Shqipërisë në rrugën e BE-së.
Por a është i kënaqur Edi Rama më këtë nivel mbështetje deri tani? “Gjithmonë ka nevojë për më shumë. Do të ishte mirë të imagjinonim zgjidhje të shkurtra, por në fund kjo nuk do të ishte gjëja më e mirë” tha Edi Rama kur u pyet nga një prej gazetarëve danezë.
“Danimarka mund të nxitë për më shumë që ne mund të përmirësohemi në raport mes Ballkanit dhe BE-së pa pritur që vendet tona të bëhet anëtare që standardi i jetesës të bëhet më i afërt dhe jo më i largët. Prandaj unë e mbështes projektin e Komunitetit Politik Europian” tha ai.
Më pas kryeministri u pyet për akuzat e opozitës që deklaron se Edi Rama ka ndërhyrë duke diktuar vendimin e Gjykatës së Apelit që i hoqi vulën duka ia kaluar grupit të Enkelejd Alibeajt.
“Ju e dini që unë nuk flas në prani të miqve që vijnë nga jashtë, apo nuk ndaj në konferenca që janë për marrëdhëniet ndërkombëtare probleme të politikës së brendshme” tha ai duke u shmangur.
Kreu i qeverisë u shpreh se të gjitha partitë do të hyjnë në zgjedhje pasi në to hyhet për qytetarët. “Mua nuk më rezulton që do ketë ndonjë parti që nuk do hyjë në zgjedhje, më rezulton e kundërta, të gjithë do hyjnë dhe do hyjnë si çeço, sepse në zgjedhje nuk hyhet për njërën apo tjetrin, por për qytetarët”, tha Rama.