Berisha po zhvillon një takim me mësuesit me rastin e 7 marsit.
Ish-kryeminsitri gjatë fjalës së tij u shpreh se me arsimtarët qeveria ka vendosur në piedestal injorancën, ka partizuar arsimin dhe arsimtarin.
“Në të gjithë historinë sakrificat e mësuesve shqiptarë janë të jashtëzakonshme. Kushtet në të cilat kanë ushtruar profesionin e tyre, kushtet e strehimit, jetesës, rritjes së fëmijëve, në zonat më të largëta, të thella në të 4-anët e vendit i bëjnë ata misionarë të vërtetë të dijes dhe qytetërimit.
Asgjë një shoqëri dhe një komb nuk mund të ketë më të rëndësishme dhe serioze se arsimin. Asnjë profesion tjetër, një shoqëri dhe një komb nuk mund të ketë më të rëndësishëm përveç se atë të mësuesit. Zhvillimi i një sistemi arsimor që të përmbushë detyrat, misionin, ndaj shoqërisë dhe kombit, ndonëse është procesi më serioz, është njëkohësisht edhe një proces jo i thjeshtë. Është një proces që kërkon përpjekje të mëdha.
E vërteta është se sot në këto 9 vite kleptokraci në këto 8 vite kakistokraci, sundimit të më të këqinjve, në këto 9 vite të varfërimit të frikshëm të qytetarëve shqiptarë, në këtko 9 vite të shkretimit si kurrë në histori me këtë shpejtësi të kombi tonë, arsimi, mësuesja, mësuesi kanë qenë nga viktimat madhore të këtij regjimi.
Sot mësuesia nuk është më një profesion i preferuar dhe këto janë sirena të frikshme alarmi për një komb. Një profesion që qëndron në një piedestal si asnjë tjetër dhe këtë nuk e duan, të rinjtë nuk e pëlqejnë, sepse kjo qeveri e ka përçmuar këtë profesion, e ka denigruar këtë profesion,” tha Berisha.