Popullsia në Shqipëri ra me mbi 36 mijë vetë ose 1.3% e totalit gjatë vitit 2022, rënia më e madhe e shënuar ndonjëherë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Të dhënat e publikuara së fundmi nga Instituti i Statistikave tregojnë se popullsia rezidente në vitin 2022 vlerësohet të jetë 2.79 milionë banorë, nga 2.83 milionë që vlerësohej në vitin 2021.
Edhe struktura e rënies së popullsisë tregon se moshat e reja janë ata që janë pakësuar më shumë. Sipas të dhënave, brezi i shqiptarëve të moshës 20-24 vjeç u pakësua me 7.1% ose mbi 15 mijë vetë ndërsa brezi 25-29 vjeç u pakësua me 6,300 vetë dhe ai 15-19 vjeç me 5,900 vetë.
Rënie të konsiderueshme pësuan edhe grupmoshat e foshnjave. Fëmijët 0 deri në 4 vjeç u pakësuan me 5 mijë vetë ose 3.5% ndërsa dy grupmoshat e tjera të fëmijëve, 5-9 dhe 10-14 vjeç u pakësuan me 1.9%.
Me rritje ishin grupmoshat 60-74 vjeç si dhe grupmoshat 30-44, ku këto të dytat patën rritje më të vogël. Në tërësi, numri i shqiptarëve nën 20 vjeç ra me 17 mijë ndërsa numri i shqiptarëve mbi 60 vjeç u rrit me 12 mijë. Popullsia ekonomikisht aktive, e cila përfshin si konvencion popullsinë mbi 16 dhe nën 64 vjeç, ra me 32 mijë vetë.
Shkaku kryesor i rënies së popullsisë në Shqipëri gjatë vitit të kaluar duket se lidhet me një rrugë të re trafiku për emigrim të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar përmes kapërcimit të ngushticës së La Manche me gomone për të kaluar nga Franca për në Angli.
Largimi masiv i të rinjve ka gjasa do të dëmtojë edhe më shumë aftësinë e vendit për të paguar pensione apo për të mbuluar shërbim shëndetësor cilësor për moshën e tretë./BIRN