Rei Manaj kthehet tek Uotfordi, por vetëm për stërvitje. Sulmuesi i cili prishi kontratën më 8 shkurt dhe u la i lirë me kushtin për të gjetur ekip tjetër, nuk e arriti dot një gjë të tillë për faktin se ishte i dëmtuar dhe vështirë se mund të dilte një skuadër e përshtatshme, që mund t’i besonte sulmuesit.
Tani që afati ka përfunduar, Manaj duhet të presë deri në qershor për të luajtur, ndërsa me një postim të bërë në rrjetin e tij social “Instagram”, ai shihet duke u stërvitur në qendrën stërvitore të klubit anglez, i cili i ka hapur derën që sulmuesi të kapë formën e plotë.
Pak ditë më vonë, trajneri Silvinjo do të shpallë edhe listën e lojtarëve për Poloninë dhe në këtë situatë që ndodhet lushnjari, vështirë se do të jetë i përfshirë në atë listë.