Grupi i Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt në PD që KQZ i njohu sot ligjërisht sfidojnë urdhrin e Ilirjan Celibashit që vendosi dy kushte që duhet t’i plot¡sonte për 48 orë për t’i regjistruar në zgjedhje.
Kreu i KQZ-së kërkoi një autorizim të ri të lëshuar nga Basha dhe deklaratën solemne për zgjedhje të lira. Por sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi shprehet se kjo nuk do të ndodhë.
“PD ka dorëzuar dokumentacionin e plotë ligjor për regjistrim. Deklaratat e sotme politike të KQZ nuk kanë asnjë lidhje me ligjin, por janë formalizim i një vullneti politik ekstraligjor. Nuk do të ketë asnjë plotësim dokumentacioni sa kohë ai është dorëzuar i plotë” shkruan ai.
Nëse PD-ja zyrtare nuk plotëson dy kushtet, atëherë asnjë forcë politike nuk ka të drejtë të mbajë siglën e PD-së në zgjedhjet lokale të 14 Majit për bashkitë.