Vendimi i Qeverisë Kurti për të caktuar çmimin tavan për barna ka ngjallur debat mes deputetes së PDK-së, Floretë Zejnullahu dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, në seancën e Kuvendit të enjten.
Deputetja e opozitës ka pyetur ministrin se pse është vonuar Projektligji i cili rregullon çmimet e produkteve medicinale, i cili u miratua nga ekzekutivi në mbledhjen e së mërkurës.
Sipas saj, një projektligj i tillë është dorëzuar para një viti nga depuetët e PDK-së, por nuk ishte përkrahur nga mazhoranca vetëm pse ishte propozuar nga opozita.
“Në vitin 2019 kur Ministria e Shëndetësisë udhëhiqej nga PDK-ja është nënshkruar udhëzimi administrativ për rregullimin e çmimit të barnave i cili me ndërrimin e qeverive nuk është zbatuar dhe madje është shfuqizuar. PDK-ja edhe para një viti ka dorëzuar projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, por nuk është përkrahur nga mazhoranca vetëm se ishte propozuar nga opozita”, ka thënë Zejnullahu.
“Pse nuk u mbështet ky projektligj deri më tani? Pse nuk u zbatua udhëzimi administrativ”, ka pyetur ajo.
Deklarimeve të saj i është përgjigjur ministri Vitia, duke thënë se ky ligj është dashur të bëhet shumë më herët sepse sipas tij, kështu kursehen me mijëra para nga xhepat e qytetarëve.